Më 10 qershor 2025 u bë inaugurimi zyrtar i Qendrës për Arsimin dhe Edukimin e të Rinjve dhe të Rriturve (YALEC) në Vushtrri, një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të edukimit formal dhe joformal në Kosovë. YALEC Vushtrri është një qendër multifunksionale dhe holistike që synon zhvillimin personal dhe profesional të qytetarëve përmes mësimit të vazhdueshëm.

Në këtë ngjarje të veçantë morën pjesë personalitete të larta, përfshirë Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, Ambasadorin Gjerman në Kosovë, z. Jorn Rohde, Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi, si dhe përfaqësuesin e DVV International për Kosovë, z. Ramadan Alija. Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga institucione akademike, organizata të shoqërisë civile dhe institucione publike.

YALEC Vushtrri është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Qendrës Rinore “Hareja”, DVV International, Komunës së Vushtrrisë, Qeverisë Gjermane dhe BMZ. Falë kësaj mbështetjeje, Vushtrria bëhet qendra e një modeli të ri edukimi gjithëpërfshirës dhe progresiv për të rinjtë dhe të rriturit në vend.