TERMAT E REFERENCES

Subjekt: Hulumtim – Arsimi dhe Edukimi i të Rriturve (ALE) në Komunën e Vushtrrisë

Klient: OJQ Hareja

Projekti: YALEC Vushtrrri

Lokacioni:    Vushtrri – Kosova

Afati i fundit për shprehjen e interest: 10/09/2025 ora 16;00

Email i kontaktit: harejahareja@hotmail.com / blerim@yalec.hareja.org

PËRSHKRIM I PËRGJITHSHËM

OJQ Hareja është një organizatë joqeveritare me seli në Vushtrri, e themeluar në vitin 2002 me qëllim të promovimit të arsimit, zhvillimit personal dhe përfshirjes sociale për të gjitha grupmoshat. Që nga themelimi, Hareja ka zhvilluar një gamë të gjerë aktivitetesh edukativo-arsimore dhe kulturore, duke synuar përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitet.

Organizata ka bashkëpunuar me një sërë institucionesh dhe organizatash partnere, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, në realizimin e projekteve që mbulojnë fusha të ndryshme si edukimi, të drejtat e njeriut, zhvillimi i të rinjve dhe fuqizimi i grupeve të margjinalizuara.

Përveç organizimit të kurseve të ndryshme ndër vite – si në fushën e teknologjisë, gjuhëve të huaja dhe shkathtësive për jetë – së fundmi, Hareja është e fokusuar edhe në arsimimin e të rriturve përmes kurseve joformale, duke kontribuar në të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe rritjen e mundësive për pjesëmarrje aktive në tregun e punës dhe në shoqëri.

  1. QËLLIMI I PROJEKTIT

Qëllimi kryesor i këtij projekti është zgjerimi i misionit të OJQ-së “Hareja”, duke përfshirë edhe të rriturit në aktivitetet e saj edukativo-arsimore, përmes themelimit dhe funksionalizimit të Qendrës për Arsimimin dhe Edukimin e të të Rinjve dhe të Rriturve (YALEC) në Vushtrri. Qendra synon të ofrojë programe gjithëpërfshirëse të arsimit formal dhe joformal, të cilat do t’i përgjigjen nevojave të komunitetit lokal dhe do të promovojnë një qasje holistike ndaj të mësuarit gjatë gjithë jetës.

Ky projekt është rezultat i një bashkëpunimi të suksesshëm ndërmjet OJQ-së “Hareja”, Komunës së Vushtrrisë dhe DVV International, i formalizuar përmes një Memorandumi Mirëkuptimi të nënshkruar më 18 prill 2025. Përmes kësaj nisme synohet krijimi i një hapësire të hapur dhe gjithëpërfshirëse që nxit zhvillimin personal, profesional dhe qytetar të të rinjve dhe të rriturve, përmes metodave të ndryshme të edukimit dhe formimit.

1.2. Përgjegjësitë për ekspertët e zgjedhur / ose kompaninë për hulumtimin e ALE në komunën e Vushtrrisë

Ekspertët e zgjedhur ose kompania hulumtuese do të jenë përgjegjës për realizimin e një hulumtimi gjithëpërfshirës mbi Arsimin dhe Edukimin e të Rriturve (ALE), në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Vushtrrisë, Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA), Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS) si dhe YALEC Vushtrri.

Përgjegjësitë përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në sa vijon:

  • Hartimi i metodologjisë së hulumtimit që përfshin qasjet kuantitative dhe kualitative.
  • Kryerja e hulumtimit rreth dokumentacionit ekzistues (desk research) mbi literaturën lokale relevante për ALE: Identifikimi, mbledhja dhe analiza e literaturës ekzistuese lokale që ka të bëjë me Arsimimin dhe Edukimin e të Rriturve (ALE) në Komunën e Vushtrrisë. Kjo përfshin shqyrtimin e strategjive lokale, legjislacionit komunal, dokumenteve politike, raporteve dhe burimeve të tjera të nevojshme për të informuar procesin e hulumtimit.
  • Përpilimi i versionit përfundimtar të pyetësorit të hulumtimit në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Vushtrri, si dhe me YALEC Vushtrri duke siguruar që ai të jetë në përputhje me objektivat e hulumtimit dhe kontekstin lokal të ALE.
  • Kryerja e hulumtimit për ALE në komunën e Vushtrrisë: Realizon një studim gjithëpërfshirës kërkimor mbi Arsimimin dhe Edukimin e të Rriturve (ALE) në komunën e Vushtrrisë, përfshirë mbledhjen e të dhënave, analizën dhe vlerësimin e ambientit aktual të ALE-së, nevojave, sfidave dhe mundësive.
  • Mbledhja dhe shqyrtimi i të dhënave lokale të disponueshme në komunën e Vushtrrisë që lidhen me qasjen në arsimin e të rriturve. Kjo përfshin të dhëna mbi shkallën e pjesëmarrjes, profilet demografike të nxënësve, llojet e programeve të ofruara dhe pengesat për qasje. Vlerëson gjithëpërfshirjen dhe besueshmërinë e këtyre të dhënave për të mbështetur planifikimin e shërbimeve të ALE-së të bazuar në dëshmi.
  • Identifikon dhe vlerëson infrastrukturën ekzistuese të ALE-së, burimet dhe kapacitetet institucionale në komunën e Vushtrrisë. Jep rekomandime se si këto asete ekzistuese mund të shfrytëzohen në mënyrë efektive ose të përmirësohen për të themeluar qendra të ALE me cilësi të lartë.
  • Analizon sfidat dhe pengesat kryesore strukturore, financiare, institucionale apo sociale që mund të pengojnë themelimin e qendrave të reja ALE në komunën e Vushtrrisë.
  • Propozon masa praktike dhe të përshtatura me kontekstin lokal për tejkalimin e këtyre pengesave dhe për të mbështetur zbatimin e suksesshëm të iniciativës.
  • Identifikon nevojat specifike për arsimimin dhe trajnimin e grupeve të pafavorizuara dhe të margjinalizuara në komunën e Vushtrrisë. Kjo përfshin analizimin e kushteve socio-ekonomike lokale dhe pabarazive në zhvillim që ndikojnë në qasjen ndaj mundësive për mësim gjatë gjithë jetës, me fokus në gjithëpërfshirje dhe barazi.
  • Identifikon dhe vlerëson rolet, qëndrimet dhe nivelin e angazhimit të akterëve lokalë të arsimit në Vushtrri – si autoritetet komunale, institucionet arsimore, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e komunitetit në mbështetjen dhe promovimin e edukimit të të rriturve. Thekson partneritetet ekzistuese, iniciativat dhe fushat që kanë nevojë për përmirësim.
  • Identifikon grupet synuese dhe nevojat e tyre për aftësi/dituri, për pjesëmarrje në kurset e reja të hapura jo-formale brenda dy qendrave të reja të ALE-së.
  • Përgatit dhe dorëzon një raport përfundimtar gjithëpërfshirës hulumtimi. Raporti duhet të përfshijë gjetjet kryesore, analizën dhe rekomandimet e zbatueshme bazuar në hulumtimin e kryer në komunën e Vushtrrisë, dhe të plotësojë standardet e cilësisë në dakordim me YALEC Vushtrri.
  • Të dy dokumentet duhet të shkruhen në gjuhën shqipe (dhe të përkthehen në gjuhën angleze).
  • Detyra të tjera të lidhura, në bashkëpunim me YALEC Vushtrri.

1.3. PËRBËRËSITË E PROGRAMIT:

  • Zhvillon versionin fillestar të një pyetësori standard të hulumtimit për Arsimin dhe Edukimin e të Rriturve (ALE). Ky pyetësor do të përdoret për të mbledhur të dhëna në komunën e Vushtrrisë, duke siguruar që ai të përputhet me objektivat e hulumtimit dhe kontekstin lokal.
  • Modifikimi i pyetësorit standard (sipas kërkesave të projektit dhe parapregatija e pyetësorit përmes testimit para aplikimit).
  • Dizajni i mostrës sipas standarteve të kërkimit cilësor dhe kuantitativ për ALE;
  • Vlerësimi i pilot fazës, raporti i testimit para përdorimit.
  • Organizimi i një workshop-i (Vushtrri) në koordinim me YALEC Vushtrri dhe DKA-në;
  • Zbatimi i hulumtimit cilësor dhe kuantitativ në komunën e Vushtrrisë / mbledhja e të dhënave, analiza e kornizës legjislative dhe aspektet rregullatore për arsimin profesional në Kosovë, dokumentet e politikave dhe raportet e ndryshme mbështetëse.
  • Vlerësimi / përgatitja e raportit në gjuhën shqipe dhe angleze.
  • Fushëveprimi i raporit duhet të jetë midis 60-70 faqeve në total për të gjithë hulumtimin në komunën e Vushtrrisë;
  • Prezantimi i rezultateve të hulumtimit para akterëve lokalë të qeverisjes ALE, ofruesve të ndryshëm të ALE-së, OJQ-ve dhe akterëve të tjerë të rëndësishëm nga Vushtrria.

Korniza kohore:

Fillimi i projektit – 15/Shtator/2025 – Kohëzgjatja e projektit deri me 15 Dhjetor 2025.

1.4 Ekspertët lokalë / ose një kompani kërkimore që po kërkojmë duhet të:

  • Të kenë të paktën 5 vjet përvojë në fushën e kërkimit cilësor dhe kuantitativ, hartimin e raporteve përfundimtare / rezultateve nga hulumtimi mbi ALE (ju lutemi, ofroni prova të kësaj përvoje)
  • Të jenë në gjendje të demonstrojnë njohuri të thella mbi metodat dhe instrumentet e kërkimit.
  • Njohuri mbi Mësimin dhe Edukimin e të Rriturve (ALE)
  • Aftësi analitike dhe kërkimore.
  • Gjuha rrjedhshëm në gjuhët zyrtare të vendit dhe në gjuhën angleze.
  1. Procedurat e aplikimit

Mënyra e aplikimit duhet të përfshijë dokumentet e mëposhtme:

  • CV-në e ekspertëve lokalë, ose të kompanive kërkimore që do të përfshihen në detyrë, në gjuhën angleze.
  • Shembuj të përvojës relevante të mëparshme.
  • Një propozim financiar i detajuar me të gjitha kostot e pritura, duke treguar TVSH-në.
  1. E drejta e përdorimit

Përfaqësuesi ka të drejtën ekskluzive dhe të pakufizuar për të përdorur rezultatet e arritura nga kontrata. Transferimi i kësaj Të Drejte Përdorimi është i plotë me pagesën e bërë për Kontraktorin.

Kontraktori ka lejen e Të Drejtës së Përdorimit, e cila është e kufizuar shprehimisht për qëllime personale dhe jo-komerciale. Transferimi i Të Drejtës së Përdorimit te palët e treta është i përjashtuar.

Afati i fundit për aplikim është  10/09/2025

Aplikantët ose kompanitë e interesuara duhet të dërgojnë aplikacionin e tyre në formë elektronike në gjuhën angleze në; harejahareja@hotmail.com.com // blerim@yalec.hareja.org

4.Kriteret e vlerësimit të propozimeve

Propozimet do të vlerësohen sipas kritereve të mëposhtme:

  • Kualifikimet e ekspertëve kombëtarë / ose profili i kompanive.
  • Shembuj të përvojës relevante të mëparshme.
  • Propozimi financiar – marrëdhënia më e mirë kosto-shërbim.
Categories Lajme

Leave a Comment